Sektori publik i shëndetësisë në Kosovë ende nuk ka filluar të bëjë teste serologjike, në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin. Testet e tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e imunitetit ndaj sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga koronavirusi i ri, posaçërisht te personat që nuk kanë shfaqur simptoma.
Por, Besim Nuhiu, një qytetar nga Prishtina, thotë se këtë test, ai ka arritur ta bëjë në një laborator privat.
“Unë e kam bërë para një kohe testin me gjak, për të ditur nëse e kam pasur koronavirusin. Kam rezultuar negativ. Por, kur kam kërkuar t’ua bëj testin edhe familjarëve, nuk kam pasur mundësi, pasi kjo procedurë u ndërpre”, tha Nuhiu.
Laboratori privat Avicena në Prishtinë, përmes një njoftimi në ueb-faqe, njofton se është furnizuar me teste për detektimin e COVID-19 dhe se “kapaciteti i testeve është 50 në ditë me një çmim prej 20 eurosh”.
Testi që përdoret, sipas këtij njoftimi, është “test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave të krijuara nga koronavirusi”.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar këtë laborator, por njëri nga numrat kontaktues, ku thuhet se mund ta caktosh terminin për test ka qenë i paqasshëm, kurse në numrin tjetër thanë se nuk bëjnë teste të tilla.
Pronari i laboratorit Avicena në Kosovë Driton Shuki, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë ka bërë të ditur se më datën 03.04.2020 ka pranuar licencën për import të pajisjeve medicinale nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Ai ka thënë se laboratori nuk ka filluar ende me testimin e këtyre testeve, vetëm ka publikuar lajmërimin e këtij testi për mënyrat se si bëhet ky test dhe saktësinë e tij.
“Avicena në Kosovë është në pritje prej Ministrisë së Shëndetësisë që do të tërheqë pezullimin e përkohshëm të përdorimit të rapid testeve (v.j. testeve të shpejta) për COVID-19”, thuhet në përgjigje.
Testi serologjik dallon nga testi që njihet me shkurtesën PCR [Polymerase Chain Reaction], i cili përcakton nëse virusi është aktiv.
Ky i pari shfrytëzohet për të detektuar praninë e virusit në të kaluarën dhe antitrupat që mund të jenë krijuar të një pacient. Testi serologjik realizohet përmes analizave të mostrave të gjakut.
Testi PCR ndërkaq, është ai të cilin e mbikëqyrë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Përmes tij, vërtetohet nëse një person ka infeksion aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.
Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë, se asnjë laboratori nuk i është dhënë leja nga ky institucion që të kryejë çfarëdo testi në ndërlidhje me COVID-19, meqë “nuk dihet se nga i marrin testet dhe sa të sakta janë ato”.
“Ministria e Shëndetësisë nuk ka aprovuar përdorimin e ndonjë lloj testi tjetër për zbulimin e SARS-COV-2, përveç testimeve me RT-PCR që kryhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK)”.
“Duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë që testimet ta kenë saktësinë më të madhe të mundshme, ato janë bërë vetëm në IKSHPK, pra në sektorin publik, me aparaturë të dëshmuar për saktësi të rezultateve’’, ka thënë Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
Testin serologjik, atë që përcakton antitrupat te një person, nuk e bën aktualisht as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Në Kosovë kryhen vetëm testet të cilat tregojnë nëse një person ka infeksion aktiv të koronavirusit të ri dhe ky lloj testi kryhet vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
As për këtë test, nuk ka leje asnjë laborator privat në Kosovë.
Mikrobiologu nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Lul Raka, thotë se të gjitha testet, duhet ta kenë vulën e Agjencisë Evropiane të Barnave…
“Ideja ime ka qenë që testet të bëhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në institutet rajonale, pra në qytetet e Kosovës, si dhe në qendrat kryesore të mjekësisë familjare”, thotë Raka, duke shtuar se është me rëndësi thelbësore që saktësia e testeve të jetë mbi 90 për qind.
Laboratorët privatë, ndërkaq thotë ai, nuk dihet se prej nga e marrin testin dhe mund të ofrojë rezultat të rrejshëm dhe rrjedhimisht edhe të përhapë infeksionin.
Pacientët e shëruar nga COVID-19 supozohet se janë imunë ndaj koronavirusit. Gjithnjë e më shumë vende në botë janë duke u kushtuar rëndësi testeve serologjike, të cilat pasqyrojnë imunitetin e popullatës dhe rrjedhimisht, do të ndikonin edhe në lehtësimin e masave kufizuese të një vendi.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se testet serologjike janë të domosdoshme.
“Duhet të shikohet mënyra se si të bëhen këto, për shkak se ka disa mënyra për vlerësimin e imunitetit. Ajo më e mira dhe më e sigurta, është serologjia, prandaj duhet të mendohet seriozisht për të”, thotë Krasniqi.
Koronavirusi, shton Krasniqi, në mbi 80 për qind të rasteve kalon në forma të lehta e deri tek ato të moderuara. Ai thotë se gjasat janë që “një numër i madh i qytetarëve në Kosovë të kenë kaluar këtë virus edhe pa simptoma fare”.
“Sikur të kishim edhe një informatë më të saktë, mbi imunitetin eventual në nivel vendi, kjo do të na ndihmonte të kemi një pasqyrë më reale, do të na udhëzonte lidhur me masat që do të duhej të merren në raport me menaxhimin e pandemisë”, thotë Krasniqi.
Ai gjithashtu tërheq vërejtjen se bërja e këtyre testeve nuk është e thjeshtë, nëse synohet të krijohet një pasqyrë reale e imunitetin brenda një shoqërie.
Një vlerësim i tillë në radhë të parë kushton, dhe duhet bazuar shkencërisht në përzgjedhjen e personave që do të ofronin pasqyrën e imunitetit në nivel vendi.
Nga data 8 shkurt deri më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 10,387 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 919 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes dhe 671 pacientë të shëruar.