Kanë marrë fund pengesat për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës. Të martën, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final. Qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Evropë nga 1 janari i vitit 2024.
Miratimi u bë pa votim, pasi s’pati asnjë kundërshtim.
Të mërkurën presidenti i Parlamentit Evropian dhe Suedia si kryesuese e Presidencës së BE-së do të nënshkruajnë zyrtarisht vendimin për liberalizim.
Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nga 1 janari i 2024-s. Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi. Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Thijs Reuten, ka thënë se ky është hap për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Pas vitesh pritjeje, Kosova tani është e fundit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që heq regjimin e vizave. Kjo ua mundëson më në fund qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, t’i vizitojnë të afërmit e të bëjnë biznes në BE. Por kjo është përtej kësaj: Ky vendim kyç është po ashtu themel i rëndësishëm për bashkëpunimin e së ardhmes dhe më të afërmin në mes të BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Reuten.