Po bëhen 30 muaj prej kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dërguan në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në kohën kur u konfirmua aktakuza e parë ndaj tyre, Hashim Thaçi ishte president i Kosovës, Kadri Veseli ishte kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Selimi deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa Jakup Krasniqi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Të katërt ishin aktivë në jetën publike kur iu desh ta lëshonin vendin dhe të niseshin për Hagë për t’u ballafaquar me drejtësinë për akuzat që rëndonin mbi ta.
Transferimi i tyre në Hagë ndodhi më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020.
Klan Kosova është fokusuar në katër statuset e tyre të fundit në rrjetet sociale për të parë se çfarë i preokuponte ata pak ditë para nisjes.
Më 2 nëntor të vitit 2020 kishte ndodhur një sulm terrorist në Vjenë të Austrisë, ku si pasojë katër persona kanë përfunduar të vdekur si dhe 15 të tjerë të plagosur.
Reagimi i fundit i Thaçit ishte pikërisht për këtë ngjarje të cilën e dënoi si president i Kosovës duke e cilësuar si sulm qyqar.
“Kosova dënon sulmin qyqar që ndodhi sonte në Vjenë të Austrisë. Jemi pranë familjeve të viktimave, të lënduarve dhe gjithë popullit të Austrisë në këtë moment të vështirë”, shkruante Thaçi më 2 nëntor të vitit 2020.
Për të njëjtën ngjarje reagoi edhe akademiku Krasniqi, vetëm se atë e brengoste fakti se kryesi i kësaj vepre ishte me origjinë shqiptare.
“Vërtetë është më shumë sesa keq, kur njeriu përdhosë vlerat e kombit te vetë siç është mikpritja. Kur njeriu shkëputet nga trungu e merr lumi”, shkruante Krasniqi më 3 nëntor 2020.
Shkrimi i fundit i Veselit në Facebook ka të bëjë me një takim që e kishte zhvilluar me disa studentë të mjekësisë.
“Gjatë ditës së sotshme prita në takim disa studentë të cilat studiojnë në fushën e vështirë por fisnike të mjekësisë. Kosova ka nevojë sot për më shumë profesionistë të kualifikuar të shëndetësisë prandaj iu kërkova të mos largohen por të qëndrojnë në Kosovë pas studimeve për të kontribuar për vendin”.
“Kosova është një ndër vendet me numrin më të vogël të punonjësve shëndetësorë, prandaj është e nevojshme që të shtojmë numrin e mjekëve për të arritur standardet evropiane të shërbimit shëndetësor. Kjo gjë do të thotë jo vetëm punësim të mjekëve të ardhshëm që sot janë studentë, por edhe kthim të atyre që kanë ikur ose janë sot pa punë. Për të arritur këtë qëllim duhet gjithashtu t’iu sigurojmë rroga dinjitoze e kushte të mira pune këtu në Kosovë”, shkruante Veseli më 3 nëntor 2020.
Ndërsa postimi i fundit i deputetit Selimi ishte njoftimi se ka marrë ftese nga Dhomat e Specializuara rreth një aktakuze që rëndon mbi të.
“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombës të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”.
“Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, shkruante Selimi më 4 nëntor 2020.
Kujtojmë se më 3 prill të këtij viti, filloi gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi i kanë mohuar të gjitha këto akuza duke shtuar se në fund do të dëshmohet pafajësia e tyre.
Në kohën kur po shkruhet ky shkrim, avokatë dhe juristë të ndryshëm vlerësojnë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve mund të zgjasë deri në pesë vjet. /klankosova.tv/