Mustafa paralajmëron Vjosa Osmanin për qëndrimet, do ketë pasoja

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka shpjeguar situatën aktuale brenda partisë që drejton. Ai ka folur edhe për Vjosa Osmani e cila edhe pse nënkryetare e këtij subjekti politik, nuk po pajtohet për koalicionin me AAK-në e Nismën.

Ai ka theksuar se një qëndrim i tillë agresiv, kundër partisë që e propozoi dhe votoi për Kryetare të Kuvendit, pra kundër partisë së vet, do të ballafaqohet me pasoja, të gjitha konform rregullave dhe statusit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjithashtu, kryetari i LDK ka treguar edhe raportin me kreun e VV, Albin Kurtin.

Sipas tij, Kurti asnjëherë nuk kërkoi falje për sulmet verbale, fizike dhe të formave tjera që partia e tij ushtroi me vite të tëra kundër vetë Mustafës.

Ky qëndrim agresiv i Kurtit, sipas kreut të LDK, bën që kjo parti të ngulë këmbë dhe mos të pranonte t’ia japë Ministrinë e Brendshme.

“Unë e dija që karakteri i dhunshëm i Kurtit nuk ndryshon. Po të merrte Ministrinë e Brendshme do arrestoheshin njerëzit me urdhra politikë, do krijoheshin dosje për kundërshtarët, linçime nga më të ndryshmet etj”, tha Mustafa në një intervistë për RTK.