Prokuroria: Të akuzuarit kryen krime për të fituar pushtet

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi para trupit gjykues se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

Ai tha të hënën se të akuzuarit kryen krime dhe nxitën kryerjen e krimeve gjatë luftës, ndërsa shtoi se për këtë ishte e njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Të akuzuarit u përfshin në zbatimin e kësaj politike, përfshirë duke caktuar komandantët dhe strukturat. Provat do të tregojnë se politika u vu në jetë, që prej fillimit e deri në fund të luftës, nga veriu dhe në jug dhe pati praktikë shenjëstrimin e kundërshtarëve. Qëllimi kriminal për t’i vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte i fshehtë. Mesazhi përsëritej se kush pretendoi se kush ishte tradhtar, përbënte kërcënim”, tha ai.

Sipas Whiting, në 20 vjetët e fundit është kërkuar që viktimat dhe familjarët e tyre ta mbyllin gojën dhe të mos flasin për krimet, por sipas pretendimeve të tij, kjo nuk ishte e lehtë për ata që kanë përjetuar dhimbje.

“Është e lehtë t’i thuash këto kur nuk je viktimë, por për viktimat e ngritura në aktakuzë, dëmi dhe traumat janë diçka që jetojnë përditë. E mbajnë gjithmonë mbi supe. Viktimat kanë të drejtë të gjykohen dhe për ta të vihet në vend drejtësia”, tha ai.