Kandidati i Lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Millatoviq, është presidenti i ri i Malit të Zi, duke gjykuar nga rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve.
Millatoviq ka shënuar fitore bindëse ndaj kandidatit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Millo Gjukanoviq.
Ai u lind në Podgoricë më 7 dhjetor 1986, ku kreu shkollën fillore dhe Gjimnazin. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Malit të Zi me notë mesatare 10 dhe ishte studenti më i mirë i gjeneratës.
Ai është i martuar me Millenën dhe ka tre fëmijë – vajzat Sara dhe Ana dhe djalin David. Ai është malazez me kombësi, dhe ortodoks me fe.
Ai ka studiuar në Universitetin e Illinois si bursist i qeverisë amerikane, si bursist i qeverisë austriake në Universitetin e Vjenës dhe si bursist i Komisionit Evropian në Universitetin e Romës. Studimet master në fushën e ekonomisë i kreu në Universitetin e Oksfordit si bursist i qeverisë britanike, transmeton Paparaci.
Ka punuar në NLB Bank, Deutsche Bank dhe më pas në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ai ka fituar përvoja dhe trajnime të tjera në kuadër të Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer, të Shkollës Ekonomike të Londrës, Universitetit të Pekinit, Akademisë së Lidershipit të Universitetit Stanford dhe të tjerëve.
Ai është autor i disa punimeve profesionale dhe bashkautor i dy librave.
Millatoviq ishte ministër i zhvillimit ekonomik në qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, si dhe kandidat për kryetar të Podgoricës.
Në fund të janarit, Kryesia e Lëvizjes “Evropa Tani” zgjodhi për kandidat presidencial liderin e saj Millojko Spajiq.
Spajiq, si Millatoviq, është ish-ministër ndërsa “Evropa Tani” ishte emri i programit të tyre ekonomik. Më vonë ata formuan një lëvizje me të njëjtin emër, e cila ishte fituesi më i madh i zgjedhjeve lokale të vitit 2022, kur Millatoviqi u emërua kryetar i Podgoricës.
Mirëpo, për shkak të problemeve në lidhje me vendbanimin dhe shtetësinë e dyfishtë, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) e refuzoi kandidaturën e Spajiqit për president të Malit të Zi, kështu që u kandidua Millatoviqi.
Jakov Millatoviq konsiderohet një politikan pa të meta në karrierë./Paparaci