Fitorja ndaj Andorrës, obligim për Kosovën

Pas barazimit në udhëtim tek Izraeli, Kosova po kërkon fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.Kosova të shtunën luajti 1:1 në Tel-Aviv, ndërsa të martën e pret Përfaqësuesen e Andorrës. Dueli mes Kosovës dhe Andorrës zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I. Te “Dardanët” optimizmi ishte i madh të hënën, një ditë para përballjes me Andorrën, shkruan Koha.net.

Për dallim prej Kosovës që e mori një pikë në ndeshjen e parë kualifikuese, Andorra u mposht në shtëpi, 2:0 nga Rumania.

Selektori i Kosovës, Alain Giresse, e ka quajtur pozitiv rezultatin e arritur ndaj Izraelit, ndërsa beson në fitore kundër Andorrës. Ai ka thënë se pavarësisht kundërshtarit në fushë, pret paraqitje të mirë dhe serioze të ekipit.

“Vijmë nga një rezultat pozitiv në Izrael, ndërsa këtë seri pozitive synojmë ta vazhdojmë me fitore ndaj Andorrës. Mendoj se rezultati është pozitiv edhe pse mund ta fitonim ndeshjen. Konsideroj se paraqitja e ekipit ishte e pjekur dhe bazuar në të gjitha gjërat, mund të them se rezultati në Izrael ishte pozitiv”, ka thënë Giresse. “Gjithsesi ne futemi për fitore sikurse në çdo ndeshje tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe besoj se do të marrim pikët e plota. Edhe lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, pasi nuk është gara e parë që po e luajnë. Ata e kanë parasysh se pjesëmarrja në Evropian varet nga maksimumi që e japin në çdo ndeshje dhe pikët që i grumbullojnë”.

Giresse ka insistuar se Andorra nuk bën të nënçmohet, ndërsa nuk ka dashur të japë informata për formacionin startues.

“Nuk kam dëshirë të jap detaje sa i përket formacionit, pasi nuk dua që kundërshtari të marrë shumë informata në lidhje me këtë pjesë. Andorra nuk duhet nënçmuar në asnjë mënyrë edhe pse është ekip i vogël. Pak ka rëndësi kush është kundërshtari, duke pasur parasysh kualifikimet që luajmë. Pra, duhet t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh dhe sigurisht ta fitojmë”, është shprehur Giresse.

Më optimist se Giresse para duelit me Andorrën është shprehur sulmuesi Vedat Muriqi. Futbollisti i Mallorcas ka insistuar se Kosovës nuk i përshtatet asnjë rezultat tjetër përveç fitores kundër Andorrës. Muriqi ka shtuar se dëshira e tij është të shënojë gol në këtë ndeshje, por ka pranuar se me rëndësi kanë tri pikët dhe paraqitjen e mirë të ekipit në fushë. Madje ka thënë se për t’i dhënë vlerë pikës së fituar në Tel-Aviv, fitorja në Prishtinë me Andorrën është obliguese.

“Ishte rezultat pozitiv në Tel-Aviv, pasi kemi mundur edhe të humbim. Por për ta bërë më të vlefshme këtë pikë duhet të fitojmë patjetër ndaj Andorrës dhe të tubojmë katër pikë në dy ndeshjet e para kualifikuese, që është një rezultat i mirë”, është shprehur Muriqi. “Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati, pasi jemi përgatitur dhe luajmë, po ashtu, para tifozëve tanë. Pa e nënçmuar kundërshtarin, por çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i papranueshëm për ne. Fitorja është obliguese, sepse nëse duam të kualifikohemi në Evropian duhet të marrim sa më shumë pikë”.

Muriqi ka thënë se mundohet ta ndihmojë ekipin në mënyra të ndryshme në fushë dhe për këtë arsye përpiqet të angazhohet maksimalisht dhe ta bëjë detyrën e tij, jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje.

“Unë mundohem të shënoj gola dhe ta ndihmoj ekipin në mënyra të ndryshme. Është shumë e rëndësishme të jem aty ku ekipi ka nevojë për mua”, ka thënë Muriqi.

Ndeshja kundër Andorrës është e fundit për këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Krahas Izraelit e Andorrës, Kosova do të përballet edhe me Zvicrën, Rumaninë e Bjellorusinë.

Ndeshjet e radhës kualifikuese Kosova do t’i luajë në muajin qershor.