Kurti-Krasniqit e Abdixhikut: Po flisni si aktivistë të dorëhequr të Vetëvendosjes

Kryeministri Albin Kurti, në përgjigjen e tij ndaj kritikave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ata po i duken si aktivistë të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deputeti Krasniqi e deputeti Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje, për besë nuk di si ta shpjegoj ndryshe këtë diskurs, pra sikur të ishin aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin, po më duket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, por ky është Kuvendi i Kosovës e ju jeni PDK e LDK”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se po i kujtohet deklarata ministrit të jashtëm nga radhët e LDK-së, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se “deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK”.

Ai u ka thënë atyre të prezantojnë vizion e ide. “Opozitarizmi bëhet o me kritikë racionale o me zemërim revolucionar e jo pa asnjërën”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij nga koha kur serbët me zell po i nënshkruanin marrëveshjet, ai e ka sjellë dialogun në një pikë, kur ata refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me shumë zell i patën nënshkruar Vuçiqi e Daçiqi, ata tash po ikin prej nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bazë a dikur vraponin për të nënshkruar me ju. Pra nga vrapimi për të nënshkruar me juve, kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje sepse nuk duan të nënshkruajnë”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se pika 10 e Marrëveshjes bazë u referohet 39 marrëveshjeve të mëhershme. “Aty e gjeni asociacionin apo zajednicën e 2013-2015. Aty thuhet se s’duhet të zbatohen marrëveshjet valide. Në nenin 10 pra përmenden të gjitha marrëveshjet. Më 2015 është bërë MSA dhe thuhet se Kosova duhet të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura. Nuk është e vërtetë qw nuk ka dokument evropian që thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet. 39 marrëveshje janë realizuar gjithsej pse nuk ishte njohja reciproke në asnjërën prej tyre. Nëse keni dialoguar mirë si u bë që asnjëra asnjëherë se pati njohjen reciproke. Më 2019 ish-presidenti Donald Trump kërkoi njohje reciproke pse nuk e bëtë. Këtu u tha vetëmenaxhimi është vetëvendosje nuk është e vërtetë. Përveç që s’është as vetëvendosje, nuk është as vetëqeverisje”, ka theksuar Kurti.