11 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 11 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 895.

“Sot më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 11 raste”, ka bërë të ditur IKSHPK-ja.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Studime e epërme), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren), komuna e Prishtinës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prishtinë) dhe 1 rast me vendbanim në Ferizaj.

Po ashtu janë shëruar edhe 2 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 657 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 11 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.130 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 895 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.