Gjendet i vdekur një 77-vjeçar në një motel në Prizren, dyshohet se përdori viagra


Një rast vdekjeje ka ndodhur sot paradite në motelin “Villa A1” te Tranziti i Vjetër në Prizren, ku u gjet pa shenja jete një burrë i moshës 77-vjeçare.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa Policia është njoftuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes me ekipin mjekësor që kryen ekzaminimet vitale dhe u konstatua se viktima ka ndërruar jetë.

Posa janë kryer procedurat e nevojshme, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe trupi i pajetë i të ndjerit të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Sipas informacioneve të para, viktima nuk ka pasur shenja dhune në trupin e tij, ndërsa dyshohet se shkaktar mund të jetë përdorimi i barnave që shërbejnë për ereksion pa përshkrimin e mjekut.

Sidoqoftë procesi i hetimit pritet të zbardh në plotni atë që ka ndodhur brenda motelit.