Prokuroria Speciale e Kosovës ka shënjestruar dy raste të reja me 47 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Kështu është bërë e ditur të mërkurën, pas një takimi që kryeprokurori Blerim Isufaj ka mbajtur me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda.
Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit”, “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
“Gjithashtu, lidhur me këtë rast janë sekuestruar asete dhe mjete monetare, ka ngrirje afatgjate për prona të paluajtshme dhe xhirollogarive bankare”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë sekuestruar shtatë banesa dhe tokë bujqësore/ parcele 10,591 m2, ngrirje të xhirollogarisë bankare me vlerë monetare 186,861.75 euro, janë sekuestruar katër vetura të markave të ndryshme, janë sekuestruar pasuri të luajtshme me vlerë si dhe po para të sekuestruara kesh.
Ndërsa, rasti i dytë i shënjestruar nga Prokuroria Speciale ka të bëjë me 24 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.