Ndahen 32 milionë euro për pjesën e parë për rrugën Kijevë-Doll

Janë ndarë 32 milionë euro për rrugën Kijevë-Zahaq përkatësisht për pjesën e parë të këtij projekti infrastrukturor, që lidhë Kijevën me Dollcin.

Kështu ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duke shtuar se mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë pengesa kryesore e këtij projekti.

“Është paraparë buxhet prej 32 milionë euro për gjithë projektin nga Kijevë deri në Dollc pa pjesën e shpronësimeve. Pasi u morr vendimi [për shpronësim], tash kalojmë në faza të tjera që kanë të bëjnë me diskutime publike dhe vlerësimin e pronave do të dal edhe vlera e shpronësimit për gjithë rrugën dhe segmentin Kijevë-Dollc”, tha Aliu në një konferencë për medie.

“Buxheti prej 32 milionë euro është paraparë për tri vite. Viti i parë do të ketë 4 milionë euro, vitin 2024 do të jenë 13 milionë, kurse vitin 2025 do të jenë 15 milionë euro, por do të ndryshoj sipas dinamikës”, shtoi ai.

Sipas tij, procedurat e shpronësimit dhe cilësia e dobët e projekteve që kanë gjetur kanë qenë ndër arsyet e vonesave në përfundimin e disa rrugëve.

“Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë një ndër pengesat kryesore në realizimin e projekteve që sot i kemi pasur nëpër këmbë dhe duhet t’i zgjidhim me radhë. Natyrisht përpos çështjes së shpronësimeve dhe cilësia e punimeve ka qenë një ndër shkaktarët e vonesave të shumta që kemi pasur përgjatë viteve”, ka përfunduar Aliu.