Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës në Gjilan ku u shënua 33-vjetori i themelimit të degës së kësaj partie në këtë komunë, ka folur për marrëveshjen e 27 shkurtit mes Kosovës e Serbisë.
Abdixhiku tha se marrëveshja mes kryeministrit Kurti e presidentit serb Vuçiq nis me fjalët “pa paragjykim ndaj statusit”
“Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik. Ne pritëm një marrëveshje për njohje, ky na solli një që i vë dykuptimësi statusit politik të vendit tonë”, është shprehur Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Abdixhiku tha se Kurti me lehtësi të jashtëzakonshme u pajtua që të tejkalohet trashëgimia e së kaluarës me Serbisë.
“Nuk tejkalohet asnjë trashëgimi pa ballafaqim. Nuk kapërcehet trashëgimia e Serbisë në raport me Kosovën me dy rreshta në një marrëveshje”, tha Abdixhiku.