Nënkryetari i Prishtinës: Mund të futemi sërish në karantinë

Gjatë 24 orëve të fundit 14 persona janë konfirmuar me koronavirus, duke quar në 884 numrin e të infektuarve në nivel vendi.

Numri prej 14 të infektuarve vjen pas një trendi pozitiv i të shëruarve gjatë ditëve të fundit, ku u shëruan 655 persona.

Edhe pse në Prishtinë mbrëmë u konfirmua vetëm një rast, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se nëse rritet numri i të infektuarve mund të kthen në fuqi masat strikte.

Sipas tij, Prishtina edhe mund të futet në karantinë, por edhe mund të kthehet “ora policore”.

Kryeqyteti ka dal nga karantina me 4 maj, gati një muaj pasi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë vendim për shpalljen e Prishtinës si zonë karantine, duke ndaluar hyrjet dhe daljet.

Nga data 8 shkurt në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK, janë testuar gjithsej 9 934 mostra të dyshimta dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 884 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.