Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se është për keqardhje insistimi i mazhorancës të ndaloj fjalën e LDK-së, partisë shtet formuese.
Në seancën e Kuvendit, ku po raporton kryeministri Albin Kurti për marrëveshjen e dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për propozimin evropian, Abdixhiku ka thënë se frika e mazhorancës nga fjala është dëshmi e të vërtetës së LDK-së.
“Frika e mazhorancës nga fjala jonë është dëshmi e të vërtetës tonë, dhe mungesë e guximit politik e intelektual te përfaqësuesit e shumicës për ta trajtuar në mënyrë të pavarur e guximshme një temë jetike si dialogu. Kjo frikë nga kjo qasje dëshmon mungesën e plotë jo vetëm të unitetit tonë në dialog, por edhe vullnetit të mazhorancës për ta ndërtuar këtë unitet”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri ulet përballë me Vuçiqin, duke thënë se kryeministri Kurti gjithmonë në mendje ka pasur luftën e brendshme politike në Kosovë.
“Sikur ta kishte në mendje përballjen me Vuçiqin e jo luftën e brendshme politike në Kosovë, ndoshta do ta kuptonte më mirë marrëveshjen që e ka pranuar më 27 shkurt. Ajo çfarë po sjell ky kryeministër është pranimi i Asociacionit përkundër kundërshtimit disavjeçar që ka bërë”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së shtoi se “për neve pozicioni i respektimit të marrëveshjeve paraprake është obligim kushtetues, punë për të si e arsyeton para bazës së vet”.
“Ajo që nuk dihet se çfarë ka pranuar kryeministri janë definuara në nenin 7. Kryeministri ka hapur një dritare të re”, tha Abdixhiku.
Ai kërkoi nga Kurti të tregoj se në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel çfarë ka përfshirë nga elementet e tij që ka përmendur.
“Meqenëse na thotë se është i zoti në dialog të na tregoj se çfarë ka përfshirë në këtë marrëveshje nga platforma e tij”, u shpreh Abdixhiku.