Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur personalitet historik ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, politikat e së cilit i ka kundërshtuar ashpër gjithnjë kur ka qenë në opozitë.
Në një intervistë për revistën “Shenja”, Kurti është pyetur për të komentuar figurën e Thaçit, atë të veprimtarit Adem Demaçi dhe të ish-presidentit tjetër, Ibrahim Rugova.
“E para, çfarë i bashkon këto tre figura dhe, e dyta, ku mendoni se ata kanë gabuar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës?”, ishte pyetja e cila i është parashtruar kreut të ekzekutivit kosovar.
Ai nuk ka pranuar të komentojë apo të bëjë kritika ndaj siç i ka quajtur, personaliteteve historike, pasi me këtë gjë ka thënë se merren historianët.
“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra”, ka deklaruar Kurti.
Ai u shprehur se e ka për detyrë që t’i respektojë dhe t’u jetë mirënjohës secilit për kontributin që ka dhënë për Kosovën.
“Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur”, ka thënë Kurti.
Intervistën e plotë e gjeni këtu.