Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa po i cilëson njerëz të papërgjegjshëm dhe me ambicie të sëmura zyrtarët e Qeverisë së shkarkuar që po lëshojnë akuza se kur LDK ishte në Qeveri kishte ulur papunësinë duke i larguar qytetarët nga Kosova.
Në një përgjigje me shkrim për Express, lideri i LDK-së ka thënë se një deklaratë e tillë është e sëmurë dhe po bëhet pasi zyrtarët e Vetëvendosjes po shërbehen me fyerje e akuza në mungesë të argumenteve.
“Nuk e kam percjellur z. Bislimi. Këto ditë dëgjohen dhe lexohen lloj-lloj deklarata. Prodhohen tradhtarë, armiqtë të popullit, komunistë, rusofilë e kinezofilë. Shajnë e kërcënojnë. Kur mungojnë argumentet, njerëzit shërbehen me fyerje dhe sharje. Tregojnë nivelin e tyre të vërtetë, pavarësisht profesionit dhe punës që e bëjnë. Edhe një deklaratë e tillë prej një profesori të AUK-ut, do të ishte e sëmurë”, ka thënë Mustafa.
Kjo përgjigje e Isa Mustafës erdhi pasi ditë më parë zyrtari i Qeverisë së shkarkuar, Besnik Bislimi u përfshi në një debat për uljen e papunësisë në kohën e pandemisë.
Ministri i Financave dhe Transfereve tha se Kosova numri i të papunëve u ulë në 6.6 për qind në kohën kur 90 për qind e ekonomisë është mbyllur si pasojë e pandemisë.
Bislimi duke shpjeguar se si ulet papunësia përmendi edhe atë se në kohën e Isa Mustafës numri i të papunëve ishte zvogëluar duke i përzënë kosovarët për në BE.
“Ne s’kemi thënë se kemi ulur papunësinë. Ajo bie në tri forma: Duke hapur vende pune; Duke e përzënë popullin në Tisë siç e ka ulur papunësinë Isa Mustafa në vitin 2015, pra duke e zhvendos popullsinë dhe duke formalizuar ekonominë”, ka deklaruar Bislimi të enjten.
Në vitin 2015, në lumin Tisa në Hungari ishin mbytur 15 kosovarë që ishin nisur drejt vendeve të BE-së. Me 55 vite burgim janë dënuar trafikantët që kanë ndihmuar largimin e kosovarëve drejt BE-së. Largimet e kosovarëve kanë vazhduar edhe pas vitit 2015 dhe sidomos e të rinjve që kanë kërkuar punë e jetë më të mirë ne vendet e BE-së.
Sidoqoftë, Isa Mustafa po thotë se deklaratat të cilat shfrytëzojnë tragjeditë për të bërë politikë, siç ishte migrimi i qytetarëve në vitin 2015, nuk e nxjerr askënd faqebardhë.
“Shfrytëzimi i tragjedive , siç ishte migrimi i qytetarëve tanë, për të bërë politikë nuk e nxjerr askënd faqebardhë, veç sa shpërfaqë karakterin e tij. Kosovës i nevojiten njerëz të mençur e të edukuar, sepse kemi shumë probleme që duhet zgjidhur”, ka thënë Mustafa.
Megjithëkëtë, Isa Mustafa thotë se pikërisht këto deklarime vërtetojnë faktin se LDK bëri mirë kur rrëzoi Qeverinë e njerëzve të papërgjegjshëm që deklarojnë në kohë pandemie ulje të papunësisë.
“Është fat i madh i këtij vendi që u përmbys ky koalicion dhe kjo qeveri. Çfarë do të pritej prej njerëzve që rezonojnë në këtë mënyrë e në anën tjetër konstatojnë se për 2 muaj e kanë ulur papunësinë 6.6 për qind në kohë pandemie. Me këtë trend për 10 muaj do ta sillnin papunësinë në zero!?! Janë njerëz të papërgjegjshëm dhe me ambicie të sëmura”, ka deklaruar Mustafa për Express.
“Ata që shfrytëzojnë votat e popullit për ta shpallur veten misionar dhe shërbëtorët e tyre s’kanë asgjë të përbashkët me vizionin për një shoqëri demokratike. As me të vërtetën”, ka deklaruar Mustafa.
Kreu i LDK-së ka përmendur edhe koalicionin e partisë së tij me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilin thotë se është fat i madh që është përmbysur.
Ai thotë se njerëz të cilët deklarojnë se e kanë ulur papunësinë në kohën e pandemisë, janë të papëgjegjshëm dhe me ambicie të sëmura.
Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, në Interaktiv të KTV-së ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ish-kryeministrit Isa Mustafa, deri tash partner i Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri.
Sipas tij, përderisa qeveria aktuale ka ulur papunësinë duke ulur informalitetin, Mustafa më 2015 kishte ulur papunësinë duke përzënë popullin.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK-ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK-së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK-së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.
Tash, Kurti po vazhdon të mbajte pozitën e Kryeministrit në Qeverinë e shkarkuar derisa të qartësohet situata me vendim të Gjykatës Kushtetuese nëse mund t’i jepet mandati për të formuar Ekzekutivin edhe partisë së dytë kur i pari nuk dërgon emrin e Shefit të ri të Qeverisë.
LDK ka nominuar Avdullah Hotin për Kryeministër dhe Presidenti ka nënshkruar dekretin, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri më 29 maj kur edhe pritet të publikohet vendimi që shpjegon procedurën e themelimit të Qeverisë kur partia e parë se dërgon emrin e mandatarit.