Kurti për nderë të Pavarësisë: Kosova është shembull demokratik në rajonin problematikë

Qeveria e Kosovës, ka mbajtur seancë solemne për nder të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës. Nga aty, shefi i Qeverisë ka thënë se në këtë festë duan të përçojnë mesazhin se përveç festës, Kosovës i duhet edhe puna, raporton Ekonomia Online.

Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti, tha se meritat për këtë 15-vjetor u takon qytetarëve. Ai tha se Kosova është shembull demokratik në Ballkan, siç e quajti problematik.

Kurti ka deklaruar se në këtë përvjetor Kosova mburret me të drejtat që u jep pakicave etnike. Ai ka shtuar se askund në Evropë pakicat nuk kanë më shumë të drejta se në Kosovë.

“Sot në këtë 15 vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel si te ne. Na përket ne të përkujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese që kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.

Kurti ka veçuar dy përgjegjësi që duhet t’i kenë të qarta të gjithë shqiptarët e Kosovës.

“Te përgjegjësitë tonë duhet dalluar dy sosh, e para të kemi parasysh trashëgiminë tonë, amanetin e gjeneratave që kanë dhënë djersën e gjakun për lirinë e Kosovës edhe nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm sepse nuk erdhëm këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë por i historisë së vet. E dyta, duhet të kemi parasysh të rinjtë, edhe atyre që nuk kanë lindur ende e të cilëve duhet tu lëmë një Kosovë më të mirë sesa ajo që e kemi gjetur”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka shtuar se në 20-vjetorin e pavarësisë duan që arsyet që të rinjtë zgjedhin Kosovën për një të ardhme të jenë të shumëfishuara.

“Kosova është shembull i demokracisë në këtë rajon problematik si Ballkani. Nëse në vendet tjera institucionet japin model, në Kosovë modelin e japin qytetarët dhe institucionet bëjnë përpjekje të ecin pas tyre. Pavarësia jonë është rezultat i historisë sonë shekullore”.

Fjala e plotë e kryeministrit.

Mirëmëngjesi e mirëseerdhët në këtë mbledhje të Qeverisë e cila është e veçantë, sepse shënon hapjen e kësaj dite festive. Simbolikisht kemi zgjedhur të hapim këtë ditë jo me ceremoni, por me mbledhje, sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. Pavarësia jonë u arrit përmes luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës. Jo përmes rrugëve të shkurtra që premtohen nga njerëz joseriozë, por vetëm përmes punës dhe sakrificës, e cila i karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës, gratë e burrat që punojnë përditë për veten e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë tonë, për ekonominë tonë. Ata punojnë këtu, por shpesh punojnë edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre. E në këtë festë të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, duhet t’ia përkujtojmë vetes e njëri-tjetrit se detyra jonë kryesore është që, kur të vijë njëzet vjetori, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë e për një jetë të mirë.

Të dashur qytetarë, që po na ndiqni përmes mjeteve të komunikimit publik, kjo është festa juaj. Kosova është një shembull i demokracisë në këtë rajon problematik si Ballkani, vetëm si meritë e juaja. Jeni ju ata që nuk keni lejuar dhe nuk do të lejoni që në Kosovë të mbetet i padënuar abuzimi me pushtetin. Prandaj jeni ju që e meritoni urimin dhe njëkohësisht falënderimin më të përzemërt për 15 vjetorin e kësaj demokracie. Nëse në vendet e tjera institucionet japin model, dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët, dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre.

Pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.

Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira.

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,

Në këtë festë të pavarësisë nuk më takon të jem i ashpër me juve. Ka boll ditë të tjera të vitit, kur do të mund të zhvillojmë aktivitetin tonë të përditshëm që përfshin edhe punën edhe nxitjen, edhe kritikën edhe vetëkritikën, natyrisht edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sepse të qenit anëtar i një qeverie do të thotë mbi të gjithat, marrjen përsipër të përgjegjësive. Meritat, siç e thashë më parë, në radhë të parë i përkasin qytetarëve tanë, punëtorëve, studentëve, biznesmenëve, njerëzve të zanateve të ndryshme, të kulturës, të sportit, të cilët me kontributin e tyre të përditshëm e bëjnë Kosovën kjo që është, një vend në përmirësim të vazhdueshëm.

Te përgjegjësitë tona duhen dalluar dy sosh. E para, të kemi parasysh gjithnjë trashëgiminë tonë, amanetet e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e djersën për lirinë e Kosovës edhe pse nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona, të nderuar ministra, zëvendëskryeministra, duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm, sepse nuk erdhëm ne këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet. Shekuj dhimbjesh, që sot të kemi këtë gëzim.

E dyta, duhet të kemi gjithnjë parasysh të rinjtë, fëmijët e edhe ata të cilët nuk kanë lindur ende, e të cilëve ne duhet t’u lëmë patjetër një Kosovë më të mirë se sa ajo që e kemi gjetur. Mjedisin duhet t’ua lëmë më të pastër e më të gjelbër nga ai që gjetëm, ekonominë më të pasur e më të drejtë, drejtësinë më funksionale, infrastrukturën më moderne, shëndetësinë më të pajisur dhe arsimin më të fortë. Një Kosovë ku udhëheq ligji, e jo njeriu, një Kosovë me rend për qytetarët e me ndëshkim për kriminelët. Këto ishin ambiciet tona në fillim, por këto duhet të jenë ambiciet tona përditë.

Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:

Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.

Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.

E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe, dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.

Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë.

Republikë për pesëmbëdhjetë vjet, Republikë Përjetë!