Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar të mërkurën që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
“Gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i Thaçit është i arsyetuar në baza të shumëfishta, se asnjë kusht i shkurtër i paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës (DhSK) s’do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit – duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante – është e arsyeshme”, thuhet në kërkesë të tyre.
Sipas tyre, që nga përcaktimi më i fundit i këtij Paneli më 19 dhjetor 2022, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që devijojnë nga ai përcaktim.
“Në të vërtetë, transferimi i çështjes në Panel, caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Thaçit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit”, ka thënë Prokuroria.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor, të vitit 2020.