Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u deklarua të martën lidhur me pranimin në parim që i bëri Kosova, saktësisht kryeministri Albin Kurti, planit evropian për marrëveshje me Serbinë.
Para mediave, ai tha se nuk e kupton gjithë pluhurin që po ngritët për këtë çështje, derisa theksoi se Kurti qysh para tre muajve e ka pranuar se ky propozim është i pranueshëm për Kosovën dhe bazë e mirë. Kjo pasi sipas tij, aty nuk përmendet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk e di pse gjithë ky pluhur pasi para tre muajve kryeministri e ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovën, pra është bazë e mirë pasi nuk përmendet kurrfarë Asociacioni”, u shpreh kryeparlamentari.
Por, ai pranoi se në atë plan Kosova e merr një obligim për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.
“E tëra që mund të aludohet për nënkuptim të Asociacionit në atë plan është marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog. Kosova e merr përsipër njëfarë obligimi për marrëveshjet e arritura deri tani në dialog”.
“Pra, në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca në Asociacion. Por, çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit”, deklaroi Konjufca.
Ai tutje u shpreh se nuk janë të pamundshme asociacionet në Kosovë, por ajo që lejon Kushtetuta e vendit është shumë e qartë.
Në fund, kreu i Kuvendit përmendi edhe dy rreziqe që sipas tij, i vijnë Kosovës me planin evropian.
“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis, po mundohem ta ndaj me ju. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejt, por në mënyrë të tërthortë. Kjo i bie që nuk praniohet përmes një akti shtetëror të Serbisë, por përmes një marrëveshje me BE-në”.
“Rreziku i dytë fare i lehtë për Kosovën është që duket sikur nuk e ka njohjen e marrëveshjes përfundimtare dhe pastaj kjo do të jetë taktikë e Serbisë”, përfundoi Konjufca. /Telegrafi/