Kreu i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj: “Vaksina” për të shpëtuar turizmin dhe pse duhet të pushojmë në Sarandë, kryeveprën e turizmit ndërkombëtar!
Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, në një intervistë ekskluzive të dhënë për Sarandanews.com, ka treguar se si të shpëtohet turizmi këtë sezon, pas pandemisë së krijuar nga COVID-19.
Kurtishaj që ka në pronësi një nga agjensitë turistike më të mëdha në Kosovë, duke sjellë shumicën e turistëve në Sarandë, në këtë bisedë ka treguar arsyet pse qytetarët kosovarë, por dhe nga trevat shqipfolse duhet të zgjedhin të pushojnë në Sarandë, kryeveprën e turizmit ndërkombëtar siç e quan ai.
Kurtishaj flet dhe për mënyrën se ku duhet që qytetet turisike të fokusohen për të thithur sa më shumë turistë.
Z. Kurtishaj, turizmi është sektori më i goditur nga pandemia e krijuar nga COVID-19, çfarë duhet bërë për ta shpëtuar turizmin?
Dihet se pandemia e COVID-19 po na çon drejt një ndryshimi radikal të rendit shoqëror. Në këtë drejtim, turizmi është më i prekuri si industri më e madhe e sektorit të shërbimeve në nivel global.
Shqipëria është një vend ku turizmi shihet si një sektor themelor për zhvillimin e ardhshëm dhe të qëndrueshëm socio-ekonomik. Për të garantuar një garantuar një rikuperim të plotë pas Covid-19, duhet mbështetje e destinacioneve turistike duke rritur buxhet për promovim dhe marketing dhe shërbime cilësore për t’i mirëpritur përsëri pushuesit nga Kosova që përbëjnë mbi 70% të numrit të përgjithshëm të turistëve në Shqipëri. Është mesë e nevojshme dhe e domosdoshme ndihma shtetërore dhe lehtësimet fiskale për të ndihmuar bizneset për shkak të likuiditetit.
Çfarë duhet të bëjnë qytetet turistike për të thithur sa më shumë turistë gjatë kësaj periudhe?
Shqipëria në vitet e fundit ka pasur një rritje të madhe të pushuesve të turisteve në nivel vendi duke përfshirë dhe Sarandën me Ksamilin, si destinacione dhe atraksione të shumta turistike, madje dhe Syri i Kaltër, Ishujt e bukur të Ksamilit, Parku Kombëtar i Butrintit, Kalaja e bukur e Lëkursit, e shumë atraksione të shumta turistike. Të gjitha këto që thash e bëjnë Sarandën një qytet që thith shumë turistë qoftë vendas, kombëtar, apo dhe të huaj. Përveç kësaj, turistët sigurisht i tërheq, siguria, çmimi i favorshëm, mikpritja, shërbimi, dhe pastërtia në strukturat hoteliere akomoduese.
Kompania juaj ka qenë nder vite promotor i zhvillimit të turizmit në Sarandë? Pse keni zgjedhur këtë qytet?
Po, është e vërtet se ne kemi qenë një promotor i zhvillimit turistik të Sarandës, për më tepër ne kemi realizuar ëndrrën e çdo qytetari nga Kosova, por dhe trevat shqiptare për të vizituar Sarandën si destinacion turistik, historik, e kulturor, e cila i ofron shumë turistit kundrejt një pagese shumë të ulët për shërbimet e transportit shëtitjeve, akomodimit dhe ushqimit.
Saranda është njëri prej qyteteve më të qeta me pamje të mrekullueshme, një përzierje restorantesh, plazhes e vendesh të mira ku mund të bësh dhe jetën e natës. Për më tepër Saranda ka 300 ditë me diell brenda vitit dhe ne si “Sharr Travel”, duke pasur besimin e plotë të qytetarëve të Kosovës, kemi arritur që të zgjasim sezonin turistikë, që para disa viteve ishte vetëm muaji korrik dhe gusht, dhe prej 2015 e këndej ne kemi sjellë dhjetëra qytetarë nga Kosova dhe trevat shqipfolëse duke hapur sezonin turistik në Sarandë më 17-Shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës e duke përmbyllur sezonin turistik më 28-Nëntor, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Operatorët turistik në Sarandë këtë vit kanë premtuar ulje të çmimeve me 20%, ndryshe nga vitet e kaluar…
Ne kemi bashkëpumin të shkëlqyer të ndërtuar me vite me operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese hoteliere, dhe unë praktikisht dua të falenderoj në emrin tim dhe të qytetarëve të Kosovës për zbritjen e oftuar deri në 20% për sezonet e vitit 2020, që realisht ne tashmë kemi dal me disa oferta e që çmimet janë si në muajin Maj të vitit të kaluar, ndërkaq hapja e sezonit pritet të jetë në muajin Qershor dhe këto oferta dhe çmime janë për muajin qershor, praktikisht janë deri në 20% zbritje.
Keni një thirrje për pushuesit pse duhet të zgjedhin të pushojnë në Sarandë?
Sigurisht kemi thirrje për pushuesit nga Kosova, sepse Saranda njihet ndryshe si Saranda 3D që nënkupton: Dashuria ndaj detit, Dashuria ndaj diellit, Dashuria ndaj njerzëve. Saranda është një parajsë e vogël e Detit Jon, me plazhe të mrekullueshme, me gurë të vegjël natyral, një det mahnitës e të kaltër, si dhe pamje të jashtëzakonshme që të lë kujtime të mira.
Mos të lë pa e përmendur shëtitoren e qytetit, përballë plazhet e mbushur me restorante dhe çmime të favorshme e kuzhinë mjaft të pasur që kanë për bazë ushqimet e detit dhe ngrohtësinë e mikëpritjes. Ndaj unë njihem më tepër si person i Sarandës dhe Vlorës e i gjithë Shqipërisë dhe thirrja ime ka qenë dhe është që Shqipëria, shteti amë të jetë destinacioni kryesorë turistik për të gjithë qytetarët e Kosovës e sidomos Jugun e Shqipërisë që ofron shumë për turistët.
Saranda është kryevepra e turizmit ndërkombëtar!