Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).
Nënshkrimi i këtij Memorandumi u bë sot, në një ceremoni, ku të pranishëm ishin përfaqësuesit e bizneseve të cilat janë të përfshirë në Memorandum, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Qëllimi i këtij Memorandumi është bashkëpunimi me bizneset anëtare dhe jo anëtare në AKB, për ofrimin e zbritjeve nga ana e tyre në produkte dhe artikuj për personelin ushtarak të FSK-së.
Me këtë rast, AKB, zotohet ta mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në me ofrimin e zbritjeve në produkte, artikuj dhe shërbime të bizneseve përkatëse, për pjesëtarët e FSK-së.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, përmes stafit ushtarak do ta mbështesë AKB-në, në fushatën tradicionale “Javët e biznesit kosovar”, me qëllim të promovimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore.
Pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, Ministri Mehaj i falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar në mbështetje të FSK-së.
Ndërsa kryetari i AKB-së, Shahini u shpreh se kjo iniciativë është shprehje e vullnetit të ndërmarrësve për mbështetje të sigurisë së vendit në formë ekonomike. Me këtë rast, ai u zotua se në vazhdimësi do të rritet numri i bizneseve vendore të cilat do të mbështesin FSK-në.