“Lufta’’ e furrave për mbijetesë dhe kujdesi i tyre ndaj klientëve

Me maska mbrojtëse, dorëza e qese për të ambalazhuar bukët, në furrën e familjes së Shefki Sali Berishës shërbehet çdo klient.

Këto masa Berisha thotë se janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të secilit, ndërkohë që situata e krijuar me pandeminë ka bërë që ata të punojnë me humbje.

Shkak për këtë pronari i furrës ‘’Labi’’ thotë se janë bërë masat dhe daljet e rralluara të qytetarëve, raporton KOHA.

Pasi që problemet e krijuara me miellin në të gjithë vendin nuk e prekën biznesin e tij, Berisha thotë se në këtë kohë e rëndësishme është të kujdesen për të gjithë ata që nuk kanë.

Derisa ka bërë edhe një listë të personave nevojtarë që ai shërben çdo ditë.

Qëkur u morën vendimet për masat parandaluese nga Ministria e Shëndetësisë, në Drejtorinë e Inspektoratit të Prishtinës thonë se me të gjitha bizneset kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Drejtori i kësaj drejtorie, Adonis Tahiri, tha se secila furrë buke që operon në Prishtinë është duke respektuar urdhëresat e Komunës për parandalim të përhapjes së virusit.

Një tjetër furrë buke që po respekton urdhëresat e Komunës së Prishtinës është edhe ajo e Skënder Agushajt në lagjen “Mati”.

Përveç mjeteve të nevojshme mbrojtëse gjatë punës, pronari i kësaj furre thotë se çdo javë kryen edhe dezinfektimin e hapësirave të punës.

Agushaj tregon se në këtë kohë ka rritur edhe numrin e stafit të punës, ndonëse shtyllë kryesore të biznesit të tij ka familjen e ngushtë.

Ai shprehet se me gjithë gjendjen e krijuar, është vullneti për punën që i ndihmon ata në punën e përditshme.

Që nga përhapja e virusit në vend furrat e bukës janë në mesin e veprimtarive që janë lejuar të punojnë.

Ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka përfshirë edhe këto biznese në programin e tyre për grantet, që do të dhurohen në kuadër të pakos emergjente për bizneset, të vetëpunësuarit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.