Për publicistin Muhamet Mavraj, përfituesit më të mëdhenj politik nga burgimi i ish-krerëve të UÇK-së janë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti.
Sipas Mavrajt, krerët aktual të shtetit nuk do të vinin në pushtet pa u futur në burg ish-krerët e UÇK-së.
“Përfituesit direkt politik të kësaj janë këta njerëz. Përpara se t’i marrin këto pozita, kanë bërë thirrje që këta të shkojnë në burg, kanë bërë fushata shumë të forta kundër tyre, e kanë organizuar vrasjen morale të tyre qysh para 10 vjet e me shumë, ashtu që kur të burgosen të shihet si një lloj çlirimi”, është shprehur Mavraj në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se nga krerët aktual të shteti nuk pritet asnjë e mirë në asnjë shkallë shtetërore dhe siç tha “të mos shpresojë askush”.
“Por, shteti s’janë vetëm këta, shteti janë edhe zgjedhjet e ardhshme e qytetarët e tjerë, por për fat të keq, nuk janë në nivelin e detyrës ashtu që do t’i ndihmonin Kosovës edhe në planin diplomatik edhe politik e ligjor që të spastrohet nga këto akuza”, u shpreh Mavraj.