I akuzuari kryesor për vrasjen e Rr.U. në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rendë në bashkëkryerje dhe me 1500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata ndaj Gërdovcit ka shqiptuar edhe dënim plotësues për konfiskimin e armës e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për veprën penale të vrasjes e rëndë në bashkëkryerje, të akuzuarit Sherif Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vjetësh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, Avni Syla.
Më 10 janar, në fjalën përfundimtare, në rigjykimin ndaj të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre, ndërsa mbrojtja lirimin e dy të akuzuarve. Dy të akuzuarit kishin zgjedhur të mbroheshin në heshtje.