Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimet në kuadër të dialogut me Serbinë do të duhej të ishin çdo muaj.
“Më datën 18 gusht të vitit të kaluar u patëm marrë vesh në Bruksel që do të takoheshim çdo muaj. Në shtator kjo nuk ndodhi, por erdhi propozimi franko-gjerman, që e quajmë propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe nuk pati takim deri më datën 21 nëntor”, ka thënë Kurti në një intervistë për televizionin publik.
Kurti është shprehur se beson që është dashur të kenë takime më të shpeshta sepse mospajtimi është i madh dhe besimi është i ulët, por nuk e di saktësisht pse ka ndodhur kjo.
“Megjithatë kam shpresë se këtë vit do të këtë një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të bëhet më shumë trysni mbi Beogradin”, është shprehur ai nga Austria, ku qëndroi të enjten në vizitë zyrtare.