Rreth 1 milion njerëz kanë shkuar në Turqi dhe ata kanë shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për mbjelljen e flokëve vitin e kaluar.
Kështu, siç raportojnë mediat turke, ka thënë kreu i Shoqatës Turke të Turizmit Shëndetësor, Dr. Servet Terziler.
“Gjysma e xhiros prej 4 miliardë dollarësh në vitin 2022 u mor nga shërbimet e transplantit të flokëve”, ka thënë Terziler për Anadolu Agency.
“Nëse supozojmë se vlera mesatare e harxhuar nga një pacient për mbjelljen e flokëve është 2.000 dollarë, mund të themi se 1 milion njerëz erdhën në Turqi për mbjellje flokësh në vitin 2022”, shtoi Terziler.
Sipas Terziler, Turqia ka tejkaluar gjithashtu xhiron prej 500 milionë dollarësh në shërbimet dentare dhe rreth 400 milionë dollarë në kirurgjinë estetike.
Duke u shprehur se turistët e huaj kanë shfaqur interes masiv edhe për turizmin e banjave, ai tha se me të ardhurat e marra nga ky sektor i turizmit, është arritur një shifër mbi 10 miliardë dollarë në total.
Dhe Terziler ka theksuar se qëllimi aktual i sektorit të turizmit shëndetësor është të arrihet një shifër prej 20 miliardë dollarësh.
Ai megjithatë ka kritikuar klinikat e paregjistruara, duke thënë se Ministria turke e Shëndetësisë ka forcuar inspektimet e saj.
Sipas Terziler, klinikat e paregjistruara prishin imazhin e Turqisë dhe “përmbysin frymën aktuale pozitive”.
“Ne e shohim këtë shumë, veçanërisht në transplantin e flokëve”, deklaroi ai.