Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qeverinë mund ta formojë edhe partia e dytë. Madje Mustafa tregon se edhe Kurti mendonte dikur kështu duke thënë se kushdo që del i pari nuk është mbret.
“Është e qartë se Gjykata Kushtetuese ka thënë se qeverinë mund ta bëjë edhe partia e dytë, e tretë, apo e katërt. Kështu e ka interpretuar edhe vet Kurti në vitin 2014, ai ka thënë se kushdo që del i pari nuk është mbret”, është shprehur Mustafa.
Ai tha se Kurti hezitoi ta bëjë qeverinë duke mos e dërguar emrin e kryeministrit nga partia e vet.
“Askush nuk mund ta shfrytëzojë një afat kohorë pa kufi. Sepse megjithatë duhet të ekzistojë një kufi që partia që ka dalë e para, të reflektojë dhe ta jep kandidatin për kryeministër. Fakti që partia e parë heziton ta jep emrin për kryeministër, tregon se kjo parti nuk është e interesuar ta bëjë qeverinë”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ftoi Gjykatën Kushtetuese të japë një përgjigje sa më parë sepse kjo sipas tij, ndihmon në praktikën e ardhshme që do të ballafaqohen partitë.
“Gjykata Kushtetuese duhet ta japë një përgjigje, sepse kjo ndihmon në praktikën e ardhshme me të cilën ne do të ballafaqohemi”, thotë Mustafa në RTV 21.
Ai tha se qytetari nuk vendos kush do ta bëjë qeverinë, vetëm për deputetët në Kuvend, e pastaj deputetët formojnë qeverinë.
“Qytetari nuk vendos kush do të qeverisë, vota e qytetarit vendos për deputetët dhe cila parti do të ketë më shumë deputetë. Në zgjedhjet e përgjithshme votohet për parlamentin, jo për qeverinë. E pastaj, Kuvendi e zgjedh qeverinë, kjo do të thotë se një shumicë duhet ta bëjë shumicën parlamentare. Nuk shkelet demokracia kështu, por respektohet vota e qytetarëve”, përfundoi Mustafa.