Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se në rastin e ndodhur në Shtërpcë, ku u plagosen dy persona, i përfshirë është një pjesëtar i FSK-së.
Mehaj tha se me rastin po merren organet e drejtësisë, ndërsa i njëjti do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi që ka Ministria e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se në momentin që ka ndodhur rasti, pjesëtari i FSK-së ishte jashtë detyrës.
“Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin”, është shprehur Mehaj, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se ministria që ai drejton, por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve pa dallim.
Klankosova.tv ka kontaktuar me zëdhënësen e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, për të sqaruar rrethanat e rastit, por e njëjta ka thënë se janë në përpilim të raportit final.