Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani franko-gjerman i ka penguar më së shumti Beogradit, pasi siç ka thënë, aty përmendet termat si territorialiteti, sovraniteti, barazia e demokracia.
Kurti ka thënë të enjten për “Zërin e Amerikës” se për ta kundërshtuar këtë plan, Beogradi organizoi daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.
“Sigurisht që diskutimet duhet të çojnë në zgjidhje, mua në veçanti më ka pëlqyer fakti se kjo nuk është një marrëveshje e cila bëhet përbrenda asaj le ta quajmë ideologji e zgjidhjes së problemeve, ku ne e konsiderojmë secilin problem unik brenda Kosovës dhe mandej me marrëveshje të komplikuara me një oqean të hollësive për të cilën nuk ka askush interes që të marrë vesh detajet. Unë e kam mirëpritur faktin që kemi nocione, koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja pra të gjitha këto përmenden aty dhe gjuha universale edhe e shton parimësinë por edhe ja jep qëndrueshmërinë marrëveshjes. Duket që kjo i ka penguar më së shumti Beogradit dhe pikërisht për ta ambalazhuar refuzimin e këtij propozimi ata dhanë dorëheqje prej institucioneve në Kosovë në veri të Ibrit dhe me këto barrikada në njërën anë dëshiruan ta territorializojnë çështjen përbrenda nostalgjisë për të ashtuquajturin shkëmbim territorial që ka dështuar si projekt por nuk ka vdekur si ide, dhe në anën tjetër dëshiruan ta mbysin pluralizmin politik të komunitetit serb i cili në fakt po lind me Nenad Rashiqin dhe Rada Trajkoviqin”, ka thënë Kurti.
“Konsideroj që propozimi franko gjerman apo i Bashkimit Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është një bazë e mirë, mirëpo nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Beograd në fillim të nëntorit doli ministri i tyre i Jashtëm, përndryshe zëdhënës i partisë së Millosheviqit dikur, dhe tha se e kemi hedhur poshtë propozimin e tillë. Unë besoj se të gjithë duhet të merremi me ta dhe jo me mua e me sekuencimin e diferencimin e zbatimit të vendimit për targat”, është shprehur tutje ai.
Duke folur për barrikadat në veri, Kurti ka thënë se Policia e Kosovës do të ndërhynte para Vitit të Ri për largimin e tyre, mirëpo siç tha, institucionet e Kosovës e pritën KFOR-in që ta siguronte lëvizjen e lirë, ashtu siç ka bërë për 23 vjet me radhë.
I pyetur nëse ka frikë për eskalim të situatës për veri, Kurti ka thënë se nuk ka frikë por se rreziku ekziston.