Detaje mbi sulmin seksual të mësimdhënësit ndaj nxënëseve të klasës së gjashtë

Jeton Salihi, nga komisioni disiplinor i Komunës së Vushtrrisë ka dhënë detaje rreth suspendimit të mësuesit në Vushtrri, i cili akuzohet për sulm seksual ndaj nxënëseve të klasës së gjashtë.

Ai për klankosova.tv, ka deklaruar se sipas ligjit, suspendimi është bërë me heqje të 50% të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij.

”Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 % të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij. Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës se deri ku ka shkuar procesi ndaj këtij mësimdhënësi dhe ata nëpërmjet një shkrese na kanë njoftuar se kanë ngritur aktakuzë dhe ne menjëherë kemi marr masat e suspendimit sepse paraprakisht edhe kemi mbajtur seancat rreth këtij rasti”.

Ai ka shtuar se mësimdhënësi edhe pas raportimit të këtij rasti ka qenë duke punuar sepse nuk i ishte vendosur ndonjë masë nga prokuroria.

”Po ka qenë duke punuar. Kjo sepse ne nuk kemi mundur të reagojmë derisa jemi njoftuar nga prokuroria se cilat veprime janë marrë dhe me të pranuar shkresën se është ngritur aktakuza kemi reaguar”, theksoi ai mes tjerash, përcjell klankosova.tv.

Tutje ai e ka konfirmuar edhe si neglizhencë nga ana e drejtorisë së shkollës, për trajtimin e këtij rasti.

”Po drejtoria veç është e njoftuar me ato çka shkruhet në atë shkresë elektronike të prokurorisë se ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti nga ana e drejtorisë së shkollës rreth lajmërimit”.

Klan Kosova raportoi sot se një mësimdhënës po akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të klasës së gjashtë të një shkolle në Vushtrri.

Megjithatë sipas raportimeve janë dy nxënëse të cilat kanë refuzuar të vijojnë mësimin e lëndës së mësuesit të dyshuar, për shkak të sjelljeve të tij.