Erzen Zyberaj vrapon 150 km brenda një dite

Atletika është një ndër sportet më atraktive.

Në botë është mjaft i zhvilluar si sport, por njëjtë nuk mund të themi edhe për Kosovën.

Në vendin tonë ka atletë, por atyre nuk ju ofrohen kushte të favorshme për të praktikuar këtë sport.

Megjithatë, ka disa prej tyre që e duan shumë sportin e atletikës dhe e praktikojnë në disa raste edhe vetëm, shkruan lajmi.net.

Kështu së fundmi ka bërë edhe atleti Erzen Zyberaj, përfaqësuesi i Kosovës në vrapimet e gjata dhe kampioni në vrapimet malore dhe maratona.

Ai dje ka bërë një vrapim të jashtëzakonshëm prej gati 12 orësh në rreth 150.06 kilometra.

Zyberaj ka filluar vrapimin e tij nga kryeqyteti, Prishtina – Fushë Kosovë – Drenas – Malishevë – Klinë – Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Rahovec.

Për të bërë një vrapim të tillë patjetër që duhen kushte, që sipas Zyberaj Kosova nuk i ka.

“Kushte s`ka por ka vullnet, pasioni dhe mbi të gjitha dashuria për punën”, tha fillimisht ai për lajmi.net.

Tutje ai tregoi motivin e atij vrapimi të gjatë të cilin e ka realizuar së fundmi.

“Ky vrapim është pjesë e përgatitjeve të mia për garat e ardhshme që do t`i kem në këto disiplina pra në UltraMaratona”.

Vrapuesi tregoi edhe synimet e tij për këtë sport, që është të bëhet kampion bote në Ultra Maratona. “Dëshira ime është që në të ardhmen të bëhem kampion botë në Ultra Maratona”, vazhdoi Erzeni.

Ai gjithashtu inkurajon të rinjtë që të merren më këtë sport.

“Motivimi i gjeneratave të reja që të merren më shumë me vrap pasi që kemi shumë talenta dhe një ditë të bëhem shembull për ata”, përfundoi ai.

Erzeni me vrapime të gjata merret qe dy vite dhe ka përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror “Berlin100km” të këtij viti.