FFK-ja nuk licencohet, klubet rrezikojnë kolapsin


Asnjë federatë e palicencuar sportive dhe klub i këtyre federatave nuk do të marrë vërtetim për sponsorizime, i ka rekomanduar të mërkurën Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës, Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kuturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit.

Një prej federatave të palicencuara është edhe ajo e futbollit. FFK-ja ka aplikuar për licencim, por nuk e ka marrë ende. FFK-ja dhe klubet e saj kanë bërë më së shumti kërkesa për sponsorizime. Vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro në vit. Në fakt, sponsorizimet janë bërë edhe burim kryesor i klubeve të futbollit e po ashtu edhe të sporteve tjera.

KOHA ka siguruar dokumentin e lëshuar nga Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive në adresë të ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, Departamentit të Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës, Komisionit të Sponsorizimeve të MKRS-së, zyrës së Arkivit të MKRS-së dhe Arkivit të KVLFS-së.

KOHA ka marrë një opinion të kryetarit të Trepçës ’89, Abedin Zekës. Zeka pret t’i dijë arsyet pse FFK-ja nuk është licencuar ende.

“Nëse tërhiqen sponsorët nuk kam se si të mbijetoj. Do të detyrohem të tërhiqem, sepse nuk mund të vazhdoj më, nuk kam forcë ta mbaj klubin”, ka thënë Zeka për KOHËN.

Ndërkohë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se nëse i ndalohet e drejta për të përfituar nga Ligji i Sponsorizimit, do ta iniciojë një protestë.

“Do të bëj thirrje vetë për të organizuar para Kuvendit një protestë masive e që do të jetë e përmasave më të mëdha që është mbajtur ndonjëherë. Pra, do të ketë rreth 30 apo 40 mijë sportistë”, ka thënë Batatina për KOHËN.