Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se Rusia po nxit tensione mes shtetit të tij dhe Serbisë, për shkak të çalimit në luftën në Ukrainë, në kohën kur Beogradi ka bërë kërkesë për kthim të ushtrisë në Kosovë, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian” të martën.
Serbët në veri kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë e Bërnjak, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, si të dyshuar për sulmet ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Policisë në përpjekjet për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor.
Pjesëtarë të organizatave nacionaliste serbe me lidhje me grupe paramilitare ruse po qëndrojnë në anën e Serbisë afër kufirit me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tashmë ka kërkuar zyrtarisht nga NATO që t’ia lejojë Serbisë dërgimin e 1000 ushtarëve “për ta mbrojtur komunitetin serb”. Siç shkruan “The Guardian”, kërkesa e Serbisë me shumë siguri do të refuzohet, por shqetësimi është se ky mund të jetë hapi i parë drejt një vendimi të njëanshëm për lëvizje ushtarake.
Kurti ka thënë se është i shqetësuar që situata e tensionuar mund të përshkallëzohet në avantazh të Vladimir Putinit, pasi forcat ruse e serbe kanë kryer 104 ushtrime të përbashkëta ushtarake më 2021. Ai ka thënë se është pajtuar me KFOR-in, që t’i jepet kohë për t’i hequr barrikadat, por se “s’do t’i lejojnë gjatë”. I ka përshkruar barrikadat si hap drejt “copëtimit të shtetit”.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave s’mund të përjashtojë mundësinë e viktimave”, ka thënë ai, shkruan “The Guardian”. “Dhe kjo është përse ne duam të jemi sa më shumë që mundemi të kujdesshëm që të sigurohemi se s’do të ketë destabilizime e se paqja dhe siguria do të jenë në vend. Gjithsesi, s’mund të lejojmë përgjithmonë shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Andaj, kjo duhet të marrë fund, sa më herët aq më mirë”.
Ai ka thënë se edhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që barrikadat duhet të hiqen, por se shqetësohen se si mund të përdoret e abuzohet kjo nga Beogradi.
“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë është lidhja e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihet kjo në funksion, në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri. Mendoj se shqetësimi më i madh i tyre është i qartë: se tash Rusia që po çalon në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit, ka interes për përhapje. Kanë interes t’i transferojnë në Ballkan përpjekjet e tyre luftënxitëse, aty ku e kanë një klient në Beograd”, ka thënë Kurti.
Kremlini në anën tjetër ka thënë se dëshiron që “situata të zgjidhet nëpërmjet rrugëve diplomatike, por se qëndron që të gjitha të drejtat e serbëve të garantohen”.