Sveçla: Policia është e aftë dhe ka kapacitete të përballet me strukturat kriminale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj protestës së mbajtur sot në anën serbe të pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

Sveçla tha atje u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës.

“Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviq (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Wagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tha se policia e vendit i ka të gjitha kapacietet e nevojshme për t’u përballur me strukturat kriminale.

“Por, gjithashtu dua të siguroj të gjithë qytetarët tanë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka të gjitha kapacitetet e nevojshme të përballet me këto struktura kriminale dhe se ne po bëjmë të gjitha vlerësimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës sonë”, ka shtuar ai.

Ai tha se do të vazhdojnë ta ekspozojnë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohen në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian.

Sipas tij, ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të Serbisë e Rusisë, që janë të vetmet, siç thotë ai, që nga Lufta e Dytë Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu.

“Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën”, ka shtuar ai.