IKSHPK-ja pranon 5 mijë teste nga UNDP-ja dhe Luksemburgu

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë së bashku me Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dorëzuan sot ngarkesën e dytë të furnizimeve shëndetësore të përbërë nga 5,000 komplete testesh ekstraktimi Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Arben Vitia, Ministër në detyrë i Shëndetësisë, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKSHPK-së ishin të pranishëm në dorëzimin që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ky donacion vjen si pjesë e një marrëveshje të arritur midis Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe UNDP-së për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme për Kosovën për të luftuar COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi rëndësinë e partneritetit në këto kohë të vështira.

“Partneriteti i qëndrueshëm me shtetet mike dhe mbështetja e organizatave me ndikim global, ka rol të rëndësishëm edhe në rastin e menaxhimit të pandemisë COVID-19. Në kuadër të këtij partneriteti, me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut dhe UNDP-së, sot kemi pranuar një donacion të vlefshëm për mbrojtjen e shëndetit publik, një sasi të konsiderueshme të testeve RT-PCR, kontingjent ky që do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve dhe të shtojmë angazhimin në luftën e përbashkët kundër COVID-19. Testimi është komponentë e rëndësishme që ndikon në zvogëlimin e rasteve të përhapjes së virusit dhe kontributi i juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin e shëndetësisë në Kosovë. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj UNDP-në dhe Luksemburgun dhe të shprehi mirënjohjen time për ndihmën dhënë në këtë periudhë të emergjencës së shëndetit publik“, tha Vitia.