SHBA-ja bën thirrje për frenim të “përpjekjeve të qëllimshme për të krijuar frikë në veri”


Serbia ka kërcënuar Kosovën me kthim të forcave ushtarake në territor të saj, në mes të tensioneve në veri të vendit të cilat prej ditësh janë përcjellë me incidente duke përfshirë të shtëna me armë zjarri, granata dore e shok-bomba.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, të premten ka thënë se Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave të tij në Kosovë, ndërsa një ditë më herët të njëjtin kërcënim e pati bërë edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë thirrje që të gjithë të përfshirët të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe përpjekjet për të shkaktuar frikë.

“Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje dhe të përmbahen nga retorika nxitëse dhe përpjekjet e qëllimshme për të mashtruar dhe krijuar frikë në komunat e veriut të Kosovës. SHBA-ja vazhdon ta nxisë Kosovën dhe Serbinë që të shmangin çdo veprim ose deklaratë që çon në përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane për KOHËN.

Bërnabiqi të premten është ankuar se Bashkimi Evropian nuk po reagon për atë që po ndodh e se KFOR-i nuk po e bën punën e vet për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Ndërkohë, SHBA-ja ka dënuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës. Ajo ka thënë se “përdorimi i dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste dhe rrezikon jetë të pafajshme”.

Që nga 6 dhjetori, Policia në veri është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur. Ato kanë filluar kur policët po shoqëronin zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të veriut dhe Zubin Potok, teksa autoritetet po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale në veri, të caktuara për 18 dhjetor.

Pas incidenteve, SHBA-ja ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhje duke arsyetuar se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Siç ka thënë Bërnabiq të premten, Aleksandër Vuçiqi sot (10 dhjetor) pritet që të japë detaje lidhur me kërkesën për “kthimin e forcave në Kosovë”.