Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësi është duke përrcjellur dhe vlerësuar situatën e sigurisë në Veri të Kosovës, konform të cilave edhe ka ndërmarrë masat e nevojshme duke rritur kapacitetet e saja policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, mbrojtjes së jetës e pronës si dhe parandalimit të incidenteve dhe akteve të ndryshme kriminale.
“Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”, thuhet në komunikatën pët media të PK-së.
“Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Tutje njoftohet se si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policorë, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete. Policia e Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, thuhet në komunikatën për media.
Mes tjerash thuhet se Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore, njëkohësisht ka ftuar të gjithë qytetarët për qetësi dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës.