Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, ka thënë se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, sipas sondazheve të fundit, nëse vendi shkon tash në zgjedhje, do të fitonte 59 ulëse në Kuvend të Kosovës. Madje kjo, sipas Bislimit, pa llogaritur fare votat e diasporës, për të cilat thotë se do ta rrisnin edhe më shumë fuqinë e VV-së.
Duke komentuar dërgimin e dekretit të presidentit për Avdullah Hotin kryeministër në Gjykatën Kushtetuese, ai ka thënë se “Gjykata nuk do të lejojë që të ketë Qeveri kundër vullnetit të qytetarëve, sepse vendoset precedent shumë i rrezikshëm”.
“Pas votimit të suksesshëm të mocionit, presidenti s’ka opsione tjera pos ta çojë vendin në zgjedhje. Për momentin është e pamundur, por masat kanë nisur të relaksohen e së shpejti mund të ketë normalizim e zgjedhjet mund të mbahen. I takon presidentit të caktojë datën e zgjedhjeve. 14 qershori do të ishte perfekt sepse lidhet me datën e përvjetorit të Vetëvendosjes. S’di a është herët apo jo, varet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Kemi eksperienca shumë optimiste sa i përket rasteve. Por duhet të kemi kujdes t’i shmangemi valës së dytë. Ne nuk besojmë se jemi rritur, jemi të sigurt. Çdo subjekt bën sondazhe dhe i kanë rezultatet. Zhurma e madhe, sulmet frontale ndaj çdo vendimi të mirë të Qeverisë e ka burimin në këto sondazhe, dhe mendoj se subjektet tjera kanë nisur rrugë të gabuar dhe vetëm po e forcojnë VV-në. Sondazhi i fundit, kur pastrohet, na del me 59 deputetë, por pa përfshirë diasporën, me të edhe më shumë. Duket e pamundur, por një pjesë të kontributit e kanë dhënë partitë tjera me qasjen e tyre në muajt e fundit, por pjesa më e madhe i atribuohet mënyrës si kemi qeverisur sepse pas 20 vjetësh qytetarët e kanë parë se mund të qeveriste drejtë. Sondazhet që i bëjmë tregojnë disponimin në moment”, ka thënë Bislimi në Interaktiv.