Rukiqi për gjobën e kompanive të naftës: ky vendim në këtë kohë është goditje për kompanitë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se gjoba prej 4 milionë euro ndaj 14 kompanive të naftës në Kosovë për manipulim të çmimeve është dashur të merrej pas pandemisë së koronavirusit.

Pak pasi KOHA raportoi se është vërtetuar se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim e kanë çrregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018 dhe se Komisioni i Autoritetit, më 6 maj 2020 ka vendosur të shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumën prej 4 milionë euro të totalit të të hyrave për gjashtë 6-mujorin e vitit 2018 ndaj 14 kompanive nën hetim, Rukiqi ka thënë se vendimi në kohë pandemie është goditje për kompanitë.

“Pa paragjykuar drejtësinë, ky vendim në këtë kohë është goditje për kompanitë. I kam parë edhe faktet dhe e them me plot bindje, nuk ka asnjë fakt bindës për gjobat marramendëse që janë shqiptuar për kompanitë në fjalë. Së paku do të duhej me prit deri në përfundim të pandemisë. Ky vendim, në kohë pandemie, e cenon rëndë mundësinë që kompanitë në fjalë të mbrohen brenda mekanizmave të sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të premten do të bëjë publike edhe emrat e kompanive dhe dënimet individuale për secilën nga to.