Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se është konfirmuar vetëm një raste i ri me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 861.
“Sot më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 194 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, është diagnostikuar 1 rast”, ka bërë të ditur IKSHPK-ja.
Rasti pozitiv, është rast kontakti nga: komuna e Kamenicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Poliçkë).
“Sot më 07 maj 2020, janë shëruar 28 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 561 raste”.
Më datë 07 maj 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç nga Plavë-Dragash, e konfirmuar me COVID-19 me datë 24.04.2020. “Pacientja është transferuar në Klinikën Infektive nga Spitali i përgjithshëm i Prizrenit në gjendje të rënduar me 26 prill 2020 me Inflitrim pulmonar bilateral dhe sëmundje shoqëruese: Insuficiencë renale terminale, Hemodializë të rregullt, Diabetes melitus”.
Nga data 08 shkurt deri më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.279 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.