FIFA akuzon Federatën serbe për provokimin në Katar


Federata e Futbollit e Serbisë do të dënohet nga FIFA për shfaqjen e flamurit provokues ndaj Kosovës në zhveshtoren e serbëve në Kupën e Botës në Katar.

Para ndeshjes me Brazilin, në zhveshtoren e Serbisë është shfaqur një flamur serb mbi hartën e Kosovës, ku shkruante “Nuk ka dorëzim”, në gjuhën serbe. Është një flamur që shfaqet nga serbët në stadiume të ndryshme e i cili u paraqit edhe në stadiumin ku të enjten u zhvillua ndeshja me Brazilin.

Të premten Federata e Futbollit e Kosovës i është drejtuar FIFA-s, ndërsa Komiteti Olimpik i Kosovës i është drejtuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, e po ashtu edhe FIFA-s. Ndërkohë ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), që edhe organizon Botërorin, ka hapur të shtunën procedurë disiplinore ndaj Federatës serbe. Federata serbe pritet të dënohet në ditët e ardhshme.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë lidhur me flamurin e shfaqur në dhomën e zhveshjes së serbëve, në prag të ndeshjes Brazili – Serbia”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.

FIFA ka përmendur një pjesë të kodit të saj disiplinor ku shkruhet për sjelljet e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat apo gjuhën fyese” ,si dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të natyrës josportive”.

Serbia të hënën luan ndaj Kamerunit e më pas e ka ndeshjen e veçantë me Zvicrën e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës.

FIFA nuk ka saktësuar se kur do të merret vendimi përfundimtar ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë. Por hapja e procedurës tashmë është goditje ndaj serbëve për veprimin provokues të tyre.

Në Përfaqësuesen e Serbisë kanë refuzuar të flasin në konferencë për shtyp, të shtunën, për provokimin që kanë bërë. Një gazetar amerikan ka bërë pyetje, por zëdhënësi i ekipit serb ka ndaluar përgjigjet në atë temë.

Brazili ka fituar 2:0 ndaj Serbisë në ndeshjen e Botërorit. Brazilianët dominuan plotësisht, ndërsa serbët shpëtuan vetëm me dy gola.

FIFA ua dha një tjetër goditje serbëve, ndërsa shpresat e gjithë shqiptarëve janë që goditjen finale në Katar do t’ua japin Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, njëjtë si para katër vjetëve në Rusi.