Prokuroria Themelore në Prishtinë do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për burrin, i cili dyshohet që vrau gruan e tij me sëpatë të premten.
Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë Laureta Ulaj.
“Është dërguar kërkesa për paraburgim dhe me gjasë nesër mbahet seanca”, ka thënë Ulaj.
Një vrasje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së premtes në Prishtinë.
Viktima, një grua 63 vjeç është vrarë nga burri 70-vjeçar, kurse i dyshuari është dorëzuar vetë në polici pasi e ka kryer aktin.
Për vrasjen e rëndë përveç Policisë së Kosovës detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria ka thënë se e ka ndaluar burrin, I.G., për veprën, ndërsa ka shtuar se burri 70-vjeçar e ka vrarë me sëpatë gruan.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”.
Ndërsa, akoma nuk është bërë i ditur motivi që ka dërguar në vrasje.