Kupa e Botës – Një nga stadiumet e Katarit do t’i dhurohet Kosovës?


Për herë të parë një Kupë Bote zhvillohet në Katar. Ky shtet i vogël në Lindjen e Mesme ka bërë shpenzime marramendëse për të ndërtuar 8 stadiume të jashtëzakonshme. Por për një shtet që numëron rreth 3 milionë banorë është e tepërt mbajtja e stadiumeve me një kapacitet të tillë.

Prandaj është vendosur që një pjesë e tyre të dhurohen për shtetet në zhvillim. I ftuar në emisionin “Rudina” në Klan, Xhevdet Zeka, deklaroi se një nga këto stadiume është në plan që të shkojë në Kosovë.

“Njëri nga këto stadiume mund të jetë në plan për t’ju dhuruar Kosovës thamë mbrëmë me Enkelejdën tek emisioni jonë. Është në plan që një nga këto stadiume të shkojë në Republikën e Kosovës”, u shpreh Zeka.

Kujtojmë që një prej stadiumeve në Katar të cilit i është vendosur emri “Stadiumi 974” është i ndërtuar me konteinere.

974, janë pikërisht numri i konteinerëve që janë vendosur në atë stadium.

Është pikërisht ky stadium që është projektuar për t’u çmontuar plotësisht dhe të rimontohet në një vend tjetër, që mund të vijë në Kosovë, nëse janë të vërteta aludimet.