Ndeshjet e Premierligës mund të kthehet shumë më ndryshe sesa që janë mësuar t’i shohin tifozët e futbollit, pasi që po raportohet se futbollistët nuk do të lejohen as të festojnë së bashku pas ndonjë goli.
Premierliga ka qenë e suspenduar që nga 13 marsi shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, që ka shkaktuar edhe ndërprerjen e seancave stërvitore dhe aktiviteteve të tjera sportive, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ngjashëm me vendet e tjera evropiane, edhe Anglia tani është duke punuar në “Projektin e Rinisjes” – duke mbajtur negociata mes Federatës së Futbollit, Ligave, Shoqatës së Futbollistëve e të Trajnerëve, si dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse.
Njëra ndër propozimet e dala nga këto negociata ka qenë që ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit 2019/20 të zhvillohen në stadiume neutrale, përderisa një votim për këtë dhe propozimet e tjera do të mbahet të hënën.
Përderisa të gjitha 20 klubet e Premierligës janë shprehura të gatshme t’i zhvillojnë 92 ndeshjet e mbetura kur të jetë e sigurt të rinisë sezoni, jo të gjitha ato janë të gatshmë të luajnë në stadiume neutrale.
Por, tani The Telegraph shkruan se kufizimet në fushën e lojës mund të jenë edhe më të mëdha – pasi fillimisht u raportua se lojtarët do të ndëshkohen nëse pështyjnë në fushën e lojës.
Atyre s’do t’u lejohet të festojnë në mënyrë ekipore pasi të shënojnë ndonjë gol, përderisa do ta kenë të ndaluar edhe t’i shkëmbejnë fanellat, si dhe t’i ndajnë mes vete shishet e ujit.