Pandemia COVID-19 ka bërë që të ketë mos regjistrim të automjeteve në Kosovë, për shkak se janë zvogëluar kapacitetet e punës në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, tha për RTK se tani ka filluar të ketë stabilizim të jetës dhe për këtë edhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve duhet të fillojnë punën sa më shpejt që është e mundur.
Ai ka thënë se është shqetësuese se ato qendra nuk po funksionojnë me kapacitete të plota dhe merren vetëm me raste emergjente.
“Nëse kemi vazhdimësi të rritjes së qarkullimit të veturave në komunikacion dhe nuk kemi vetura të regjistruara dhe të siguruara në Kosovë dhe kemi rënie të inkasimit të të hyrave nga kompanitë e sigurimeve, kush do t’i kompensojë dëmet që mund të shkaktohen në aksidente që ndodhin në këtë kohë. Pra, duhet të hapen Qendrat e Regjistrimit dhe të mos kemi një ngulfatje të një sektori, që në rrethana normale është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe financiar të Kosovës”, tha eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.