Nëse jeni të përqendruar ta bëni të pamundurën për një jetë të shëndetshme dhe të gjatë, me siguri tashmë jeni të fokusuar në ushtrimet e rregullta fizike, në ngrënien e një dietë të ekuilibruar dhe po përpiqeni ta menaxhoni nivelin e stresit. Por ndër gjërat e njohura që njerëzit po bëjnë këto ditë për ta mbajtur trupin e tyre të shëndetshëm për një periudhë të gjatë kohore, duhet të jetë edhe fokusimi në përfshirjen e antioksidantëve në dietën e përditshme.
Pse? Një studim i botuar në gazetën “European Journal of Nutrition” tregoi se dietat me një kapacitet më të lartë antioksidues, shoqëroheshin me një rrezik më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
Pra, çfarë janë antioksidantët dhe si lidhen me jetëgjatësinë? Për të kuptuar se çfarë janë këto komponime, së pari duhet të kuptojmë se çfarë ndodh në trup që i bën ato kaq të rëndësishme t’i kemi në dietën tonë.
Gjatë jetës normale, trupi prodhon radikale të lira, të cilat me kalimin e kohës mund të shkaktojnë stres oksidativ. Ndërsa të gjithë përjetojnë stres oksidativ, ky efekt mund të rritet për shkak të faktorëve, si ngrënia e ushqimeve të fërguara, përjetimi i sasive të larta të stresit dhe pirja e duhanit. Stresi i tepërt oksidativ është i lidhur me disa rezultate negative shëndetësore, duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit, sëmundjet e veshkave dhe disa lloje kanceri. Disa të dhëna madje sugjerojnë se stresi i tepërt oksidativ lidhet me një rrezik të shtuar të vdekjes së hershme.
Antioksidantët mund të ndihmojnë në neutralizimin e radikaleve të lira që shkaktojnë stres oksidativ, duke e vërtetuar pse përfshirja e ushqimeve të pasura me antioksidantë është tepër e rëndësishme për një dietë të shëndetshme.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ndërsa disa të dhëna sugjerojnë se ngrënia e ushqimeve të pasura me antioksidantë mund t’i ndihmojë njerëzit të jetojnë më gjatë, marrja e antioksidantëve në formë të suplementeve nuk duket se ofron të njëjtat përfitime.
Nëse jeni në kërkim të disa opsioneve të shijshme dhe të pasura me antioksidantë për t’i përfshirë në dietën tuaj të ekuilibruar dhe të shëndetshme, për t’u siguruar që po ushqeheni me këto komponime të rëndësishme, ekspertët shëndetësorë ju sugjerojnë që t’i konsumoni këto ushqime: manaferrat, çokollata e zezë, kafeja dhe çaji, fëstëkët, fasulet e kuqe dhe portokalli apo lëngu i portokallit.