Një ngjarje përkujtuese që është mbajtur me 11 nëntor në Prishtinë nga Ambasada franceze, në bashkëpunim me Misionin diplomatik gjerman në kryeqytetin e Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe skenën politike të Kosovës.
Garda Ceremoniale e FSK-së ka qenë prezente duke bërë nderime te pllakatat e vendosura në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës që kujtojnë ushtarët e vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18.
Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.
“Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje”, ka sqaruar Ministria e Mbrojtjes.
Ministria thotë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman.
“Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb”, thekson tutje reagimi.
Ndaj këtij reagimi ka reaguar deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.
Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtes bën tjetër gabim kur mundohet të justifikojë prezencën e FSK-së në nderimin e atyre ushtarëve.
“Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”.
“Është e vërtetë se aty janë edhe dy pllaka tjera përkujtuese për ushtarët francez dhe gjerman, por mbizotëron pllaka e madhe e përkujtimit të ushtarëve serb, prandaj në këtë rast do duhej të pranohej lëshimi-gabimi dhe të mos përsëritej më”, ka replikuar Dugolli në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Edhe ish-zyrtari tjetër i LVV-së që ka qenë zëvendësministër i Arsimit, Jusuf Thaçi ka thënë se nderimi i ushtarëve të FSK-së në ato pllakata është i pafalshëm.
“Nuk ka uniformë serbe (ushtri, xhandarmëri, polici, milici, paramilitarë, etj.) gjatë shekullit 20 që të kenë kaluar a qëndruar në Kosovë e të mos kenë bërë krime ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
“Prandaj, çdo nderim që u bëhet të tillëve nga institucionet e Kosovës është e pafalshme, sepse përbën fyerje për viktimat dhe amnisti për krimet e kriminelët”, ka shkruar tutje Thaçi.