Kurti: S’mund të pranoj Asociacion mbi baza etnike


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund ta pranojë një Asociacion mbi baza të identitetit etnik.

Kurti në një intervistë për Deutsche Welle të premten, ka thënë se kjo do të binte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke thënë se është bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare.

Krijimi i Asociacionit ka qenë kërkesë e aleatëve ndërkombëtarë për Qeverinë e Kosovës. Veçanërisht, thirrjet për krijimin e tij janë shpeshtuar pas vendimit të Qeverisë për përshkallëzim të sanksioneve për serbët që nuk konvertojnë targat ilegale në veri.