Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në një paraqitje para mediave ka kritikuar Qeverinë që, sipas tij, i ka injoruar iniciativat për të ndihmuar në procesin e dialogut, si dhe në politikën e jashtme.
Abazi ka thënë se janë prekur raportet e Kosovës me partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu referuar vendimit për targat, Abazi tha se kjo çështje do të mund të priste deri në momentin e nënshkrimit të një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është karta dhe çelësi për Serbinë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit, si dhe për të mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë Abazi.
Sipas Abazit, kërkesat e ndërkombëtarëve do të duhej të shyrtoheshin. Ai e ka përkrahur idenë që Kosova të fillojë konsultat rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke komentuar çështjen e Asociacionit, Abazi ka theksuar se ai nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive porse meqë ekziston një mendim i Gjykatës Kushtetuese, konform tij, Kosova duhet të bëjë hapin e parë.
Abazi ka thënë se deri tek ashpërsimi i raporteve të Kosovës ka ardhur për shkak të qasjes së gabuar në procesin e dialogut, si dhe politikës së jashtme.
“Është urgjente që t’i kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve të analizuara mirë për të rikthyer marrëdhëniet dhe për të arritur objektivat tona në interes të shtetit dhe publikut”, ka deklaruar ai.
Abazi ka shtuar se Qeveria, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë refuzuar që ai të ndihmonte në hartimin një strategjie më të fuqishme gjatë vizitës së tij në SHBA, vizitë kjo që u realizua në muajin maj.
Mes tjerash Abazi ka kritikuar edhe qasjen e qeverisë në raport me krizën energjetike.
Më 5 nëntor, duke mos u pajtuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për largim nga komunikacioni të targave të paligjshme KM, qytetarët serbë të komunave veriore, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, vendosën që të organizuar të dorëhiqeshin nga institucionet përfshirë nivelin qendror, lokal dhe të drejtësisë.